Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka hedhur poshtë premtimin e kryeministrit Edi Rama për pasaportën e BE-së, duke e cilësuar atë si një premtim të parealizueshëm. Sipas saj, Shqipëria është ende larg standardeve të Bashkimit Europian, duke e bërë anëtarësimin dhe rrjedhimisht pasaportën e BE-së, një objektiv të vështirë për t’u arritur në kohë të shkurtër.
Tabaku, e cila është gjithashtu kandidate në listën e hapur të PD-së në Tiranë, theksoi se Shqipëria ka hapur vetëm 4 nga 7 grupet e kapitujve të nevojshëm për anëtarësim në BE, dhe të gjithë kapitujt duhet të mbyllen së bashku për të avancuar në procesin e integrimit.
“Kroacia që ka qenë vendi që e ka bërë më shpejt këtë proces i ka zgjatur 8 vite. Sot Shqipëria ka hapur 4 grup kapitujt, duhet të hapë edhe 3 të tjerë dhe duhen mbyllur të 7 bashkë që Shqipëria të avancojë,” deklaroi Tabaku në emisionin “Open” në News24.
Ajo theksoi se procesi i integrimit nuk përfshin vetëm përafrimin e legjislacionit, por edhe ndryshimin e standardeve në të gjitha fushat, duke përfshirë pagat, pensionet, ekonominë, infrastrukturën dhe energjinë. Sipas Tabakut, Shqipëria është ende larg arritjes së këtyre standardeve.
“Këtu nuk bëhet fjalë për vetëm për përafrim të legjislacionit, por duhen ndryshuar standardet. Që të ndryshosh standardet duhet të kesh pagat, pensionet ekonominë, rrugët energjinë të gjitha në nivelin e BE,” shtoi ajo.
Deklaratat e Tabakut vijnë në një kohë kur Shqipëria po përpiqet të avancojë në procesin e integrimit evropian, por ato hedhin dyshime mbi mundësinë e realizimit të shpejtë të premtimit të kryeministrit Rama për pasaportën e BE-së.