Partia Demokratike (PD) ka kërkuar një hetim administrativ nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbi zhdukjen e mistershme të 130 mijë fletëve të votimit. Ivi Kaso, sekretari për çështjet ligjore në PD, deklaroi se kërkesa bazohet në të dhënat zyrtare të vetë KQZ-së, të nxjerra nga procesverbalet e mbylljes së rezultatit për çdo kuti votimi.
Sipas Kasos, nga verifikimi i dokumentacionit, është konstatuar se nga gjithsej 3,534,792 fletë votimi të prodhuara, 130,754 prej tyre nuk mund të justifikohen. Ai sqaroi se procesverbalet zyrtare tregojnë 1,463,204 fletë të përdorura, 1,935,834 të papërdorura dhe 5,000 të dëmtuara. Kur këto shifra përjashtohen, mbeten 130,754 fletë votimi që nuk figurojnë askund.
“Ka një të dhënë shqetësuese që rezulton nga verifikimi i materialeve që na janë vënë në dispozicion në kuadër proceseve ankimore,” tha Kaso. Ai shtoi se kjo mungesë masive nuk mund të shpjegohet si “gabime” siç mund të ketë sugjeruar KQZ-ja. PD kërkon që KQZ të thellojë hetimet dhe të hapë kutitë e votimit nëse mungesa e fletëve konfirmohet. “Nëse fletët nuk dalin, duhet të japin përgjigje ku janë,” theksoi Kaso. Ai sugjeroi se “logjika më e thjeshtë është se ato fletë mund të jenë zëvendësuar,” duke lënë të kuptohet mundësinë e manipulimit.