Lulzim Basha ka reaguar me ironi ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë një fjalimi në Dibër, tha se Partia Socialiste i ka dhënë Altin Dumanit “shpatën e drejtësisë”. Basha e akuzon Ramën se po përpiqet të manipulojë opinionin publik, duke pretenduar se e ka mbështetur Dumanin, kur në fakt, sipas tij, ka tentuar ta pengojë.
Basha shprehet se Rama, së bashku me “dyshen e Trekëndëshit të Bermudës”, kanë investuar që në krye të SPAK të ishte një person tjetër. Ai thotë se ishte ndërhyrja e Ambasadës së SHBA-së që e detyroi Ramën të pranonte Altin Dumanin.
“O Rame, e paske hapur thesin në Dibër. Si kishe thon, ‘ne ia dhamë shpatën e drejtësisë Dumanit në dorë’. E Rame, kujt ia hudh këto, e dinë të gjithë që ishe investuar bashkë me dyshen tjetër të Trekëndëshit të Bemudës tek dikush tjetër, t’i dinë dhe makinacionet e çastit të fundit,” deklaroi Basha.
Ai e akuzon Ramën se nuk është mësuar me prokurorë të pavarur dhe se ka tentuar të ndikojë në emërimet në institucionet e drejtësisë.
“Të kapën me presh në duar Rruga e Elbasanit Rame, dhe u detyrove ta pranosh Dumanin. Po ku je mësuar ti mo Rame me prokurorë të pavarur nga ty. Edhe BKH-n në fillim ia dhe Sajmir Tahirit, deri sa ta hoqi Gjykata. E mor Ram, kërcen prifiti nga belaja. Vazhdo me rrenat mo Rame, po veten tënde rren, se 7×7-313, Rame,” shtoi Basha.
Basha e akuzon Ramën se po gënjen dhe se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për veprimet e tij. Ai sugjeron se Rama po përpiqet të shpëtojë nga situata e vështirë në të cilën ndodhet.