Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka bërë një krahasim të drejtpërdrejtë mes tij dhe liderëve të tjerë politikë, duke theksuar dallimet thelbësore në vizionin e tyre për menaxhimin e parave të qytetarëve.
Shehaj ka argumentuar se ndryshimi kryesor mes tij dhe kundërshtarëve politikë, përfshirë Sali Berishën, Edi Ramën, Adriatik Lapajn dhe Arlind Qorin, qëndron në konceptin e tyre për përdorimin e taksave. Sipas tij, kundërshtarët e tij besojnë se shteti duhet të marrë paratë e qytetarëve, t’i qarkullojë dhe më pas t’i rishpërndajë ato.
Në të kundërt, Agron Shehaj propozon një qasje të ndryshme. Ai thekson se shteti duhet të marrë më pak para nga qytetarët dhe ato të mos qarkullohen në një administratë të madhe, por të kthehen drejtpërdrejt në xhepat e tyre.
“Shpesh më pyesin çfarë të dallon ty nga të tjerët. Këta këtu duan të marrin paratë tuaja dhe t’i përdorin në administratë me militantë, me ortakët oligarkë dhe pastaj t’ua kthejnë juve çfarë mbetet. Unë them që nuk ka nevojë t’u marrim kaq shumë para qytetarëve se i kanë nxjerrë me djersë, por këta nuk e dinë se çfarë do të thotë të marrësh para me djersë. Unë them të marrim më pak, dhe këto para, pjesën tjetër, mos ta marrim, mos të dalë kurrë nga xhepat e qytetarëve dhe këto para të shkojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek qytetarët. Kjo është diferenca midis këtyre dhe midis meje,” ka deklaruar Shehaj në një video të postuar në rrjetet sociale.
Agron Shehaj, bashkëthemelues i Partisë Mundësia, garon në zgjedhjet parlamentare të 11 majit me numrin 10 në fletën e votimit. Fushata e tij elektorale është fokusuar në takime me qytetarët dhe bizneset, duke premtuar se angazhimi i Partisë Mundësia është “t’u heqë shqiptarëve shtetin nga kurrizi”. Kjo do të arrihet përmes shkurtimit të taksave dhe tkurrjes së administratës, që sipas tij, do të sjellë kursime prej 1 miliard eurosh, të cilat do të kthehen drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve.
Shehaj e sheh këtë si një ndryshim themelor në krahasim me kundërshtarët e tij, të cilët ai i akuzon se favorizojnë një shtet të madh dhe rishpërndarje të fondeve përmes një aparati burokratik. Ai po kërkon të pozicionohet si një alternativë që i jep përparësi fuqizimit të qytetarëve dhe mbajtjes së parave në duart e tyre.