Një figurë e prezantuar ne Patos nga ish-Presidenti Ilir Meta si viktimë e patronazhistëve të Partisë Socialiste në vitin 2021, biznesmeni Erion Mane, shfaqet sërish në qendër të vëmendjes. Këtë herë, ai është bërë ortak në një kompani të re shit-blerjesh pronash dhe udhëtimesh me fëmijët e Metës, Besar dhe Bora Metaj. Themeli i kësaj sipërmarrjeje hedhur në 7 janar 2025, me emrin HUNTZ shpk, ngre pikëpyetje mbi lidhjet e biznesit dhe sfondin e personave të përfshirë.

Në prill të vitit 2021, skena e Presidencës u përdor nga Ilir Meta për të denoncuar atë që ai e quajti presion ndaj biznesmenit Erion Mane. Ky i fundit akuzoi drejtorin e atëhershëm të DPSHTRR-së, Blendi Gonxhe, për gjoba të padrejta dhe pretendoi se ishte subjekt i mesazheve kërcënuese nga patronazhistët, të cilët zotëronin të dhëna personale dhe të biznesit të tij. Meta e siguroi publikisht Manen për mbrojtjen e tij, duke e lidhur çdo incident të mundshëm me “bablokun e rilindjes”. Madje, Mane deklaroi se do të kërkonte azil politik për shkak të mungesës së sigurisë.

Katër vite më vonë, Erion Mane nuk ndodhet në azil, por në Shqipëri, si bashkëthemelues i kompanisë HUNTZ shpk me Besar dhe Bora Metaj, fëmijët e Ilir Metës. Të kthyer nga Anglia, ata duket se po ndjekin rrugën e ndërmjetësimit në tregun e pasurive të paluajtshme, një model i njohur edhe nga fëmijët e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Kapitali fillestar i HUNTZ shpk është modest, 100 mijë lekë, me aksione të barabarta mes tre ortakëve. Ajo që tërheq vëmendjen është adresa e deklaruar e kompanisë në Mzez, e cila koincidon me vendndodhjen e disa pasurive të paluajtshme në pronësi të Fatime Kryemadhit, gjyshes së Besar dhe Bora Metaj.

Figurën e Fatime Kryemadhit e rrethon një aureolë misteri dhe akuzash nga SPAK. Me një pension të deklaruar prej vetëm 8316 lekësh, ajo zotëron pasuri me vlerë qindra mijëra euro, një pjesë e të cilave janë sekuestruar si rezultat i hetimeve për pastrim parash që lidhen me të bijën, Monika Kryemadhi, dhe ish-dhëndrin, Ilir Meta, i cili ndodhet aktualisht në burgun 313 i dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK ka konstatuar se Fatime Kryemadhi nuk justifikon 846,000 euro të investuara në pasuri të paluajtshme.

Për më tepër, zbulimi se Besar dhe Bora Metaj kishin themeluar edhe një tjetër kompani pasurish të paluajtshme, Hazaar shpk, në nëntor 2023, me të njëjtin kapital fillestar prej 100 mijë lekësh, shton dyshimet mbi qëllimet e vërteta të këtyre sipërmarrjeve.

Investigimet e mëparshme mediatike dhe dosjet e SPAK kanë nxjerrë në pah se kompani të tilla shpesh përdoren për pastrim parash, fshehje të pronave dhe zbatim të skemave korruptive. Raste si ai i Ismail Mulletit dhe Shkëlzen Berishës, apo i Jamarbër Malltezit, shërbejnë si shembuj paralajmërues të lidhjeve të dyshimta mes biznesit të ndërmjetësimit të pronave dhe përfitimeve të mundshme nga pozitat politike të familjarëve.

Lind pyetja nëse kompania HUNTZ shpk e themeluar nga ish-‘i përndjekuri’ i Metës dhe fëmijët e tij, nën hijen e pasurive të ‘gjyshe Fatimes’ të sekuestruara pjesërisht nga SPAK, do të jetë thjesht një sipërmarrje e ligjshme apo do të bëhet pjesë e një tjetër kapitulli në historinë e lidhjeve të dyshimta mes politikës dhe biznesit në Shqipëri. Hetimet e ardhshme pritet të hedhin dritë mbi këtë çështje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *