Në një tubim në Tiranë, Agron Shehaj ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka, duke e akuzuar për pasurim të pajustifikuar gjatë karrierës së tij politike. Shehaj ka theksuar kontrastin mes tyre, duke e paraqitur veten si një sipërmarrës i suksesshëm dhe Nokën si një politikan që ka përfituar nga pushteti.
“Unë falënderoj Flamur Nokën. Faleminderit se po më bën një nder të jashtëzakonshëm. Sa më shumë më sulmon ti Flamur, aq më shumë pikë fitojmë ne, aq më shumë qytetarët kanë mundësi të kuptojnë diferencën,” deklaroi Shehaj, duke ironizuar sulmet e Nokës si një ndihmë për të theksuar dallimet mes tyre.
Shehaj e ka sfiduar Nokën të vazhdojë me akuzat, duke përfshirë edhe pretendimet se vëllai i tij ka përfituar tendera nga qeveria. “Flamur kam vetëm një kërkesë për ty, mos ndalo, vazhdo vazhdo, dhe thuaj gjithçka. Shumë pak Flamur, më shumë ti mund të bësh më shumë, ti ke treguar që mund të bësh më shumë, shko përtej që jam i shitur, patericë, vëllai ka marrë tendera, të lutem vazhdo ngul këmbë,” tha Shehaj.
Ai ka akuzuar Nokën se ka një makinë më të shtrenjtë se e tija, pavarësisht se nuk ka punuar asnjë ditë në sektorin privat. “Vëllai i tij merr tendera nga Qeveria” dhe “Flamur Noka s’ka punuar një ditë, por ka makinë më të shtrenjtë se imja” ishin disa nga akuzat e Shehajt.
Shehaj ka sugjeruar se sulmet nga Noka dhe të tjerë janë një shenjë frike nga ana e establishmentit politik, i cili po përpiqet të mbrojë “status quo-në”. “Është e qartë, që po na sulmojnë, sepse duan të mbrojnë status quo-në, janë të trembur dhe ne do donim që mos na sulmonte vetëm Flamuri, por këta po tregojnë që këta janë të trembur për opozitën jo më për pushtetin,” shtoi Shehaj.
Deklaratat e Shehajt kanë intensifikuar debatin publik mbi pasurinë e politikanëve dhe ndikimin e tyre në marrjen e vendimeve qeveritare, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe llogaridhënien në politikën shqiptare