Tiranë, Shqipëri – Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot planin e qeverisë për arsimin në një takim me mësuesit e gjimnazit “Besnik Sykja” në Tiranë, duke theksuar fokusin te përmirësimi i pagave të tyre. Rama u shpreh i bindur se brenda dhjetë viteve të ardhshme, paga mesatare e mësuesve në Shqipëri do të arrijë në 1250 euro.
Kryeministri e cilësoi këtë objektiv si “plotësisht të bëshëm” dhe theksoi se rritja e pagave do të ndikojë pozitivisht në motivimin dhe dëshirën e mësuesve për të punuar dhe për të ofruar një arsim cilësor.
“Qëllimi, ambicia jonë dhe plani, jo ambicia, por plani ynë është që në vitet e ardhshme brenda kësaj dekade, ne pagën mesatare të mësuesve do ta çojmë në 1250 euro. Është e bëshme, është plotësisht e bëshme, nuk besoj se do të kemi problem me këtë,” deklaroi Rama.
Duke folur për gjendjen e infrastrukturës shkollore, Rama pranoi se ende ekzistojnë realitete të vështira në disa zona të vendit, duke marrë si shembull shkollën “Ndre Mjeda” në Shkodër. Megjithatë, ai shprehu krenarinë për shkollat në Tiranë, duke pohuar se disa prej tyre janë në nivelin e shkollave më të mira në Europë.
“Ka akoma realitete të tilla, por nga ana tjetër, në Tiranë, unë besoj që ne mund të jemi shumë krenarë për faktin se nuk kemi shkolla si në Europë, po kemi shkolla si shkollat më të mira në Europë,” tha Rama.
Premtimi i rritjes së pagës mesatare të mësuesve vjen në një kohë kur arsimi mbetet një nga prioritetet e qeverisë, dhe synon të adresojë shqetësimet e mësuesve dhe të tërheqë më shumë të rinj drejt profesionit të mësuesisë. Detajet e planit se si do të arrihet ky objektiv brenda dekadës nuk u bënë të ditura në këtë takim.