Tiranë, Shqipëri – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar sot një takim me të rinjtë e Tiranës, ku ka prezantuar programin e PD-së për këtë kategori dhe ka sulmuar ashpër Kryeministrin Edi Rama. Berisha e ka cilësuar Ramën si një “meme të gjallë” dhe një “shpresëvrasës”, duke argumentuar se ai i ka trembur të rinjtë me politikat e tij dhe si pasojë ka mbyllur platformën e njohur TikTok.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u bëri thirrje të rinjve që 39 ditët e mbetura para zgjedhjeve të 11 majit t’i shfrytëzojnë si ditë beteje për të ardhmen e tyre, duke theksuar se përballë tyre qëndron një person që ua vret shpresat.
“Çdo i ri dhe e re këto 39 ditë t’i shndërroj në ditën e betejës të madhe për ëndrrat e tyre, se përballë tyre qëndron një shpresëvrasës, një arrogant, qëndron, po e quaj tani, një meme e gjallë, meqenëse e tmerruat ju me meme dhe e mbyllin TikTok-un, ta quajmë një meme të gjallë, një meme që ecën,” u shpreh Berisha para të rinjve të pranishëm.
Kryedemokrati shkoi më tej duke e konsideruar Ramën si “armikun më të madh” të rinisë shqiptare, duke argumentuar se 12 vitet e qeverisjes së tij kanë pasur kosto të lartë për të rinjtë dhe fëmijët e vendit.
“Nuk ka patur rinia shqiptare një armik më të egër dhe më të pabesë se Edi Rama ndonjëherë. Nëse analizoni këto 12 vite, çmimin më të shtrenjtë e paguan të rinjtë shqiptarë, fëmijët e shqiptarëve,” tha Berisha, duke theksuar se zgjedhjet e ardhshme janë një mundësi për të ndryshuar këtë realitet.
Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur fushata elektorale po intensifikohet dhe partitë politike po synojnë të fitojnë mbështetjen e segmenteve të ndryshme të shoqërisë, përfshirë edhe rininë. Sulmet e forta ndaj kryeministrit dhe përdorimi i një gjuhe të drejtpërdrejtë ndaj të rinjve janë pjesë e strategjisë së Partisë Demokratike për të mobilizuar elektoratin e saj.