LEZHË – Policia e Lezhës ka nisur një hetim në gjendje të lirë ndaj ish-gjyqtarit Gjin Gjoni për akuzën e shpifjes. Ky veprim vjen pas deklaratave publike të Gjonit, i cili gjatë fushatës zgjedhore pretendoi se disa zyrtarë të Partisë Socialiste (PS) ishin të përfshirë në aktivitete të paligjshme të blerjes së votave.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Lezhës, materialet hetimore janë referuar tashmë në Prokurori. Hetimi ka nisur pas kallëzimeve të shtetasve D. P., E. L., E. S., P. Gj. dhe R. N., të cilët janë përfaqësues dhe simpatizantë të Partisë Socialiste.
Në njoftimin e policisë thuhet: “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpifja”, për shtetasin Gj. Gj., 55 vjeç, banues në Lezhë, kandidat për deputet i subjektit politik “Partia Demokratike”, pasi kanë kallëzuar shtetasit D. P., E. L., E. S., P. Gj. dhe R. N. (përfaqësues dhe simpatizantë të subjektit politik “Partia Socialiste”), se 55-vjeçari ka publikuar në rrjetin social “Facebook”, një postim, nëpërmjet të cilit shpif se 5 shtetasit janë të implikuar në blerje votash dhe intimidim zgjedhësish.”
Gjin Gjoni, i cili ishte kandidat për deputet nga Partia Demokratike në zonën e Lezhës, publikoi në rrjetin social Facebook një postim ku akuzonte pesë individët e lartpërmendur për përfshirje në blerjen e votave dhe intimidimin e zgjedhësve gjatë fushatës së fundit zgjedhore.
Nga ana tjetër, zyrtarët e PS të përmendur në postimin e Gjonit i kanë mohuar kategorikisht akuzat dhe kanë zgjedhur rrugën ligjore duke e kallëzuar ish-gjyqtarin për shpifje.
Ky zhvillim shton tensionin politik në qarkun e Lezhës pas përfundimit të zgjedhjeve dhe pritet të shihet se si do të vijojë procesi hetimor nga Prokuroria dhe cilat do të jenë gjetjet përfundimtare në lidhje me akuzat e ngritura dhe kallëzimin për shpifje.