TIRANË – Burbuqe Islami, kandidate për deputete nga Partia Social Demokrate (PSD), ka shprehur bindjen e saj të thellë se roli i një parlamentari duhet të jetë primarisht shërbimi ndaj qytetarëve dhe zgjidhja e problemeve të tyre, duke theksuar se “asnjë bukuri e kësaj bote nuk më josh”.

Në një intervistë për emisionin “Log” në News 24, Islami deklaroi me forcë idealet e saj: “Burbuqes nuk i hyn në sy kjo dynja fare! Asnjë bukuri e kësaj bote nuk mund të më manipulojë, apo magjepsë. Për mua ajo që dua të arrij dhe pse dua të jem në Parlament, është që të jem në shërbim të qytetarëve, t’u gjendem pranë halleve, nevojave, t’u jap zgjidhje që t’u ndryshoj jetën, pasi i një vepre e prej vetëm te krijuesi im.”

Ajo theksoi rëndësinë e integritetit dhe moralit si elementë kyç për këdo që punon në administratën publike. Islami nuk ngurroi të kritikojë ashpër sistemin politik shqiptar të 34 viteve të fundit, duke i konsideruar partitë kryesore si shkaktare të korrupsionit të përhapur në vend.

“Kanceri në administratë” sipas saj, buron nga “të gjithë politikanët që ka pasur vendi në 34 vitet e tranzicionit, qoftë, PS, PD, LSI, për mua janë shkaktarët e këtij korrupsioni dhe që kurrë nuk kanë dashur të rregullojnë pasojat dhe efektet që mund të sjellë”.

Më tej, kandidatja e PSD-së shprehu besimin se shteti shqiptar ka kapacitetet dhe mekanizmat e nevojshëm për të frenuar korrupsionin, por ajo theksoi se mungesa e vullnetit politik nga ana e qeverisës ka çuar në përkeqësimin e gjendjes së vendit.

Deklaratat e Burbuqe Islamit nxjerrin në pah një zë kritik ndaj politikës tradicionale dhe theksojnë nevojën për një qasje të re, ku fokusi të jetë te shërbimi ndaj qytetarëve dhe lufta kundër korrupsionit si prioritete kryesore. Mesazhi i saj synon të rezonojë me votuesit që kërkojnë ndryshim dhe një përfaqësim politik të ndershëm dhe të përkushtuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *