Tiranë – Një debat i tensionuar ka ndodhur në një studio televizive mes kryetares së Kuvendit dhe drejtueses politike të PS në qarkun Tiranë, Elisa Spiropali, dhe analistit Arjon Sulo. Debati u karakterizua nga akuza të ndërsjella dhe replika të ashpra.  

Gjatë emisionit, Spiropali i kërkoi Sulos të mbajë vendin dhe të flasë me respekt, duke e kritikuar për tonin e tij dhe humorin e papërshtatshëm. “S’jemi në kafene që bëke ti humore këtu, mbaj vendin dhe fol si duhet,” tha Spiropali.  

Sulo iu përgjigj duke pyetur nëse shqetësimi i Spiropalit ishte për titullin, etikën apo politikën, dhe më pas vazhdoi me kritika ndaj kryeministrit Rama. “Pasi Skënderbeu juaj, ai s’ është fare Skënderbe, u ka thënë çyryk shqiptarëve dhe fiton zgjedhjet, ju jeni,” tha Sulo.

Spiropali kundërshtoi duke argumentuar se ajo dhe kolegët e saj janë shpesh objekt i fyerjeve dhe etiketimeve të rënda, duke përmendur përdorimin e termave si “hajdut” dhe “kriminel”. “Ju nuk jeni fyer kur të vdekurit dhe të gjallët e Ramës përmenden, kur etiketohemi hajdut, kriminel me emër dhe jo me satirë politike,” tha Spiropali.

Kur u pyet për refuzimin e debateve me opozitën, Spiropali deklaroi se nuk do të marrë pjesë në debate me njerëz që përdorin gjuhë urrejtjeje dhe denigruese. “Unë s’dal në një debat me njerëz që etiketojnë, kanë gjuhë urrejtje denigruese,” tha ajo.  

Sulo ngriti pyetjen nëse kandidatët e opozitës si Tabaku dhe Alimehmeti kishin denigruar, por Spiropali u përgjigj duke nënvizuar pozicionin e Tabakut në fund të listës së hapur.

Debati u mbyll me Sulon që pyeti se si Spiropali mund të duronte urdhrin e Ramës për t’u larguar nga studiot dhe të pretendonte të fitonte zgjedhjet. Ky incident ka ngritur tensionet në fushatën elektorale dhe ka ndezur debate mbi etikën e komunikimit politik dhe rëndësinë e debateve publike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *