Petrit Vasili, drejtues i Partisë së Lirisë (PL), ka bërë një thirrje të fortë për votuesit e Partisë Demokratike (PD), veçanërisht përkrahësit e Sali Berishës, duke i inkurajuar ata të votojnë për Ilir Metën. Vasili, në një postim të gjatë në rrjetet sociale, ka theksuar rolin e Metës si një “shpëtimtar” të opozitës dhe të Berishës vetë.

Sipas Vasilit, Meta ka ndërhyrë në katër momente kyçe për të parandaluar eliminimin politik të PD-së dhe Berishës, duke sakrifikuar shpesh edhe interesat e tij personale. Ai ka listuar një sërë veprimesh të Metës, duke filluar nga refuzimi i kompromisit me Fatos Nanon në vitin 2001, e deri te mbështetja e dhënë për “Rithemeleimin” e PD-së të drejtuar nga Berisha.

Në postimin e tij, Vasili thekson se Meta ka demonstruar vazhdimisht angazhimin e tij për mbrojtjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Ai ka përmendur gjithashtu refuzimin e aleancës me Edi Ramën në vitin 2017, si dhe shtyrjen e zgjedhjeve lokale si President i Republikës, me qëllim që opozita të hynte në zgjedhje.

Vasili e sheh votën për Metën si një investim për pluralizmin politik, duke e konsideruar atë një “garant të përbetuar” të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ai e ka cilësuar Metën si një “mbrojtës misionar” të pluralizmit, duke i bërë thirrje votuesve të PD-së të mbështesin kandidaturën e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *