Ish-Presidenti Ilir Meta, aktualisht i ndaluar, ka reaguar ashpër ndaj vizitës elektorale të Kryeministrit Edi Rama në Skrapar, duke e cilësuar atë një “ufo” dhe duke pretenduar se shumica e të pranishmëve në tubimin e Ramës ishin “jabanxhinj shëtitës” dhe jo banorë vendas.

Meta, përmes një deklarate të lëshuar nga burgu, akuzoi Ramën për premtime të pambajtura dhe mungesë investimesh në Skrapar, duke përmendur veçanërisht rrugën Skrapar-Përmet dhe devijimin e rrugës së TAP-it që lidhte zonën me Korçën.

“U argëtova sot me ‘ufo’-n që kishte mbërritur në qytetin e Çorovodës, në një sallë ku 80% ishin jabanxhinj shëtitës,” shkroi Meta, duke shtuar se Rama nuk dha asnjë shpjegim për vonesat në infrastrukturë dhe shkatërrimin e zonës gjatë tetë viteve të fundit.

Meta gjithashtu kritikoi Ramën për fondet e destinuara për bujqësinë dhe blegtorinë, duke pretenduar se ato janë devijuar për inceneratorin fantazmë. Ai i bëri thirrje banorëve të Skraparit të mos votojnë për Ramën, duke i siguruar se do të kenë tre deputetë të sigurtë: Dr. Zija Ismailin, Lefter Maliqin dhe veten e tij.

“U kërkoi të votojnë 5-ën, por skraparllinjtë jo vetëm janë njësha por e dinë shumë mirë se 5 është sa për të kaluar klasën,” tha Meta, duke shtuar se Rama duhet të përgatitet për një humbje në zgjedhjet e 11 majit.

Meta shprehu mirënjohjen për faktin që Rama ka përfshirë një zonjë me origjinë nga Skrapari në listat e mbyllura, por vuri në dyshim qëndrueshmërinë e saj pas dëgjimit të “çudive të Ballkanit të Hapur” në shtator.

Në fund, Meta i bëri thirrje popullit të Skraparit të mos harrojë dëmet e mëdha të shkaktuara nga qeveria e Ramës dhe të votojë për numrin 1 në zgjedhjet e 11 majit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *