Aktivistja Evi Kokalari ka ashpërsuar sulmet ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke deklaruar se ai do të përfundojë në burg dhe familja e tij do të zhduket nga skena politike shqiptare. Në një postim të zjarrtë në rrjetet sociale, Kokalari iu përgjigj kritikave se sulmi i saj ndaj Berishës është personal.
“Personale duhet ta ketë çdo demokrat që është gënjyer që në 1990, dhe e gjithë Shqipëria që ia morën peng demokracinë në momentin më të brishtë,” shkroi Kokalari, duke theksuar se vendosmëria e saj për largimin e Berishës nga politika është më e fortë se kurrë.
Ajo shprehu bindjen se as ndihma e këshilltarëve amerikanë si Paul Manafort dhe Chris LaCivita nuk do të mund ta shpëtojë Berishën nga përgjegjësia. Kokalari gjithashtu kritikoi praninë e LaCivitas pranë përfaqësuesve të LSI (Lëvizja Socialiste për Integrim), duke e quajtur atë “turp” dhe “ndotje” të imazhit të tij.
“Qëllim – shkatërrimi i Sali Berishës dhe i budallenjve që e ndjekin! Kur të bjerë Berisha, do të bini të gjithë – si loja e dominos,” përfundoi Kokalari, duke paralajmëruar një betejë të re politike me synimin e qartë për të eliminuar ndikimin e Berishës dhe mbështetësve të tij.