Gjatë Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, një pensioniste me emrin Liljana ka marrë fjalën për të shprehur shqetësimet e kësaj shtrese, por edhe për të lavdëruar kryedemokratin Sali Berisha. Zonja Liljana nuk kurseu fjalët e mira për Berishën, duke e cilësuar si forcën bashkuese të demokratëve.
“Ne të gjithë së bashku e gjetëm forcën te Sali Berisha,” deklaroi pensionistja, duke bërë thirrje për votën e qytetarëve për PD-në në zgjedhjet e 11 majit. Sipas saj, vetëm në këtë mënyrë “pushteti do t’i kalonte njerëzve të ndershëm”.
Duke bërë një krahasim me figurën e Skënderbeut, Liljana tha se nuk do të donte që Berisha ta gjente forcën vetëm tek mbështetësit e tij të sotëm, por theksoi se “ne të gjithë së bashku e gjetëm te zoti Sali Berisha”. Ajo kujtoi fillimet e lëvizjes demokratike, duke thënë se Berisha ishte “i vetëm me 20 vetë” dhe sot, falë tij, “gjithë Shqipëria është në këmbë”.
“Ja ku na bëri neve, delet e humbura, të mblidhemi sot që pushtetin ta fitojnë demokratët, njerëzit e ndershëm,” shtoi ajo, duke iu drejtuar kandidatëve të PD-së që të mendojnë për “njerëzit me thinjat e bardha” dhe për të varfrit. Zonja Liljana e mbylli fjalën e saj duke siguruar se ata do të mbeten “dhjetoristët e ’90-ës” dhe do të vazhdojnë të luftojnë për brezat e ardhshëm, duke u shprehur mirënjohje të gjithëve që luftojnë për popujt e tyre.