Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se dinjiteti i Shqipërisë është ngritur ndjeshëm falë politikave të marrëdhënieve ndërkombëtare të ndjekura nga Partia Socialiste. Gjatë një fjalimi, Rama theksoi se ky fakt, së bashku me arritjet e tjera, duhet t’i shërbejë çdo kandidati socialist si argument kryesor për të kërkuar votën e qytetarëve.
“Ngritja e dinjitetit të Shqipërisë në këmbë. Ngritja e dinjitetit të Shqipërisë nga një zhargavinë në një linjë të drejtë në sytë të të huajve,” u shpreh Rama, duke shtuar se qeveria e tij i ka dhënë marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit një “shije respekti” që sipas tij, Shqipëria nuk e ka pasur kurrë më parë.
Ai pohoi se sot Shqipëria respektohet, vlerësohet dhe dëgjohet ndërkombëtarisht si asnjëherë tjetër. Duke iu drejtuar veçanërisht grave dhe vajzave, Rama theksoi se ato e kuptojnë më mirë se kushdo tjetër rëndësinë e dinjitetit. Ai përfundoi duke deklaruar se Shqipëria do të bëhet plotësisht “zonjë” vetëm kur të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.