tedi blushi lsi

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj qeverisë, duke e fajësuar për rënien e vazhdueshme të eksporteve në Shqipëri. Ai pretendon se modeli ekonomik i qeverisë së “Rilindjes” është i bazuar në pastrimin e parave të pista të krimit dhe korrupsionit, të kanalizuara përmes ndërtimit të kullave dhe rezorteve luksoze.

Sipas Blushit, kriza e eksporteve është përkeqësuar ndjeshëm në vitin 2024, me një rënie prej 15.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Ai thekson se kjo rënie është një shenjë e dështimit të qeverisë për të mbështetur prodhuesit vendas dhe kompanitë eksportuese.

“Rënia dramatike e eksporteve vazhdon pikiatën e pandalshme, për shkak të modelit të dështuar ekonomik të ‘Rilindjes’ që bazohet vetëm te pastrimi i parave të pista të krimit dhe korrupsionit, përmes kullave dhe rezorteve luksoze,” deklaroi Blushi.

Ai gjithashtu kritikoi ndikimin e “narkoeuros” në ekonomi, duke pretenduar se kjo valutë e paligjshme po falimenton fermerët dhe prodhuesit vendas. Blushi parashtroi planin e Partisë së Lirisë dhe koalicionit “Shqipëria Madhështore” për të rimëkëmbur ekonominë, duke u fokusuar në rritjen e eksporteve dhe mbështetjen e prodhuesve vendas.

Planin e Partisë së Lirisë përfshin:

  • Ndalimin e shpopullimit.
  • Dyfishimin e pagave dhe pensioneve.
  • Fuqizimin e arsimit dhe kapitalit njerëzor.
  • Fuqizimin e bujqësisë dhe ushqimit.
  • Rritjen e eksporteve nëpërmjet nxitjes së sektorëve të energjisë, mineraleve, bujqësisë dhe industrisë përpunuese.

Blushi bëri thirrje për votimin e koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në zgjedhjet e 11 majit, duke premtuar një ndryshim të modelit ekonomik dhe mbështetje për prodhuesit vendas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *