Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PBDNJ), Vangjel Dule, ka shpalosur strategjinë e partisë së tij për zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar rëndësinë e qarkut të Vlorës dhe duke paralajmëruar një fokus të veçantë tek Himara. I ftuar në emisionin “Ekspres” në RTSH, në një bisedë me gazetarin Nolian Lole, Dule shprehu bindjen se PBDNJ do të jetë e përforcuar në këtë garë elektorale, duke pasur në krah edhe eurodeputetin grek, Fredi Beleri.
Duke argumentuar kandidaturën e tij në qarkun e Vlorës, Dule e cilësoi atë si një zgjedhje të natyrshme. “Në shumicën e rasteve kam qenë në këtë qark,” – u shpreh ai, duke kujtuar edhe eksperiencat e mëparshme në Gjirokastër dhe Tiranë. Sipas tij, Vlora mbetet zona ku PBDNJ gëzon mbështetjen më të madhe dhe më të fuqishme, duke qenë afër komuniteteve dhe interesave që partia përfaqëson. Ai e cilësoi qarkun e Vlorës si një zonë me shtrirje të madhe gjeografike, ku komunitete të ndryshme ndjehen afër PBDNJ-së.
Një theks i veçantë gjatë intervistës iu kushtua Himares. Dule u shpreh se e koncepton pozitivisht faktin që vëmendja është e përqendruar tek kjo zonë. “Ne do të vazhdojmë të jemi shumë afër Himares për të gjitha ato problematika të cilat janë evidentuar,” – siguroi ai, duke shtuar se PBDNJ ka dhënë beteja politike për çështjet e kësaj zone dhe do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje të drejta.
Duke mos dhënë detaje të tjera lidhur me rolin specifik të Fredi Belerit në zgjedhjet e 11 majit, Dule la të kuptohet se prania e tij do të jetë një faktor i rëndësishëm për forcimin e PBDNJ-së në këtë proces elektoral.
Me kandidaturën e tij në Vlorë, fokusin e dukshëm te Himara dhe mbështetjen e Fredi Belerit, Vangjel Dule duket se synon të konsolidojë pozitat e PBDNJ-së në zgjedhjet e ardhshme, duke u bërë pjesë aktive e garës elektorale në qarkun e Vlorës. Pritet të shihet se si do të përkthehen këto deklarata në rezultate konkrete në 11 maj.