Britania i bashkohet SHBA-së: Thirrje Ramës dhe Berishës, mos ndërhyni në punën e SPAK-ut
Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Britania e Madhe ka lëshuar një mesazh të qartë për politikën shqiptare, duke kërkuar që të mos ndërhyjë në punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe reformën në drejtësi. Ky paralajmërim vjen në një kohë kur Sali Berisha vazhdon sulmet ndaj SPAK dhe Altin Dumanit, ndërsa Edi Rama, pas arrestimit të Erion Veliajt, ka sinjalizuar një plan të fshehtë për të goditur reformën pas zgjedhjeve.
Në raportin e DASH për trafikun e narkotikëve, puna e SPAK u vlerësua lart dhe u kërkua zbatimi i plotë i reformës. Në të njëjtën linjë, Britania e Madhe ka shprehur mbështetjen e saj të fortë për SPAK në një deklaratë në OKB, ku Shqipëria u vlerësua pozitivisht në Shqyrtimin Universal Periodik.
“Ne mbështesim progresin e Shqipërisë në reformën në drejtësi për të përmirësuar integritetin e gjyqësorit të saj, për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ne mirëpresim partneritetin tonë dypalësh, duke vlerësuar shkëmbimin arsimor midis sistemeve gjyqësore. Më tej, ne përgëzojmë Shqipërinë për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë penale, në kërkim të mbrojtjes së shtetit dhe qytetarëve nga interesat kriminale,” thuhet në raportin britanik.
Britania e Madhe ka mirëpritur krijimin e SPAK-ut në vitin 2019, duke theksuar progresin e tij në adresimin e rasteve të rënda të korrupsionit.
“Ne i bëjmë thirrje Shqipërisë të qëndrojë e palëkundur në luftën kundër korrupsionit: forcimi i pavarësisë së autoriteteve të saj gjyqësore, përfshirë SPAK-un, për të vepruar pa ndërhyrje të panevojshme apo mbikëqyrje politike,” theksohet në deklaratë.
Përveç mbështetjes për SPAK, raporti britanik përmend edhe barazinë gjinore dhe mbështetjen e grave të dhunuara, si dhe lëshon një mesazh për zgjedhjet e 11 prillit.
“Në vitin e zgjedhjeve parlamentare, ne i bëjmë thirrje Shqipërisë të zbatojë të gjitha rekomandimet e pazgjidhura të OSBE-së për përmirësimin e procesit,” përfundon deklarata e qeverisë britanike.
Ky mesazh i qartë nga Britania e Madhe vjen si një mbështetje e fortë për SPAK dhe reformën në drejtësi, duke paralajmëruar politikën shqiptare që të mos ndërhyjë në punën e organeve të drejtësisë.