Gjatë një takimi me shqiptarët në Napoli, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar projektin e tij politik “Shqipëria Madhështore”, duke e cilësuar atë si “projektin më madhështor, më të bukur dhe më fantastik që Shqipëria ka pasur ndonjëherë”. Ai ka zbuluar se kjo ide ka lindur gjatë 333 ditëve të tij në arrest shtëpie, duke e lidhur krijimin e saj me sfidat personale dhe politike që ka përjetuar.
Berisha e ka përshkruar projektin si një vizion realist dhe të afërt me mendjet dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve, duke theksuar se ai fillon me dhembshurinë ndaj atyre që janë në nevojë. Ai ka premtuar rishpërndarje të të ardhurave dhe buxhetit, përcaktimin e një minimumi jetik, pagës minimale, pagës mesatare dhe pensioneve, me qëllim që asnjë shqiptar të mos jetë në rrethin e varfërisë ekstreme.
“Shqipëria Madhështore nuk mund të jetë Shqipëria e dhimbjes nga uria dhe skamja,” ka deklaruar Berisha, duke premtuar se tre muajt e parë të qeverisjes së tij do të jenë të dedikuar për eliminimin e varfërisë ekstreme.
Një tjetër shtyllë e projektit është “Shqipëria Made in Albania”, duke theksuar potencialin e madh të vendit në burime natyrore, minerale, naftë, bujqësi dhe turizëm. Berisha ka shprehur besimin se Shqipëria ka të gjitha mundësitë për t’u ngjitur në madhështinë që i takon, por ka theksuar se kjo do të jetë e mundur vetëm me pjesëmarrjen aktive të shqiptarëve.
Në fjalën e tij, Berisha ka përdorur referenca artistike, duke e lidhur projektin me pikturat e Ibrahim Kodrës, dhe ka cituar Mahatma Gandin për të theksuar rëndësinë e kujdesit ndaj atyre që janë në nevojë si një shenjë madhështie për një komb.