Në një tubim elektoral në Pogradec, Agron Shehaj, kreu i Partisë Mundësia, ka paralajmëruar se zgjedhjet e 12 majit do të rezultojnë në një parlament me shumicë deputetësh të përfshirë në çështje drejtësie. Ai ka akuzuar Edi Ramën se po kërkon votat e qytetarëve për t’u mbrojtur nga hetimet e SPAK-ut.
Shehaj ka denoncuar ndryshimin e qëndrimit të Ramës ndaj drejtësisë, duke kujtuar se si fillimisht sulmoi SPAK-un pas arrestimit të Erion Veliajt, duke i quajtur prokurorët “hetues të diktaturës”. Por, sipas Shehajt, Rama tani po përpiqet të paraqitet si mbështetës i SPAK-ut, duke pretenduar se ai vetë e krijoi institucionin.
“Ramës i duhet vota juaj për tu mbrojtur nga SPAK-u,” ka theksuar Shehaj, duke parashikuar se pas zgjedhjeve, Rama do të rikthehet në qëndrimet e tij kundër drejtësisë. Ai ka akuzuar partitë e vjetra politike se nuk e duan luftën kundër pandëshkueshmërisë.
Shehaj ka sjellë si shembull listat e Partisë Socialiste, ku sipas tij, janë përfshirë kandidatë të hetuar për korrupsion. “Ne kemi përballë Edi Ramën, që pa asnjë siklet, pa asnjë ndjesi faji apo turpi, ka vendosur në listat e Partisë Socialiste kandidatë që janë nën hetim nga SPAK-u për korrupsion. Jo një, por pesë kandidatë për deputetë që nesër do të jenë në Parlamentin e Shqipërisë, janë nën hetim nga SPAK-u për korrupsion. Dhe nuk po flasim këtu për të tjerët që janë tashmë në burg. Edi Rama, pa pikë turpi, thotë: ‘Jo, nuk e dija që këta vidhnin.’”
Në fund, Shehaj ka siguruar se votat e Partisë Mundësia nuk do të shkojnë kurrë kundër drejtësisë, duke mohuar çdo mundësi bashkëpunimi me Ramën apo Berishën në dëm të luftës kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë.