Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi, ka deklaruar se Sali Berisha e ka kthyer çështjen e tij “non grata” në një kauzë të Partisë Demokratike. Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Brozi u shpreh se kontrata e lobimit prej 6 milionë dollarësh, e cila synon ndoshta heqjen e këtij statusi, duhet të hetohet nga institucionet shqiptare si SPAK dhe KQZ, por edhe nga agjenci ndërkombëtare si FBI.

“Për fatin e keq, ka disa vite që Berisha e ktheu non gratën në kauzë të PD. Iluzionet dhe mashtrimet për heqjen e non gratës ishin dhe mbeten prezente në fushatën e PD. Non grata vihet dhe hiqet nga institucionet shtetërore, jo nga lobues. Non grata, as nuk mund të blihet, as nuk mund të hiqet me para,” theksoi Brozi.

Ai ngriti pikëpyetje të forta mbi burimin e fondeve për këtë kontratë të majme lobimi. “Kush është paguesi real i 6 milionë dollarëve? Me këtë kontratë lobimi, demokratët dhe opozitarët e ndershëm, duhet t’i thërrasin mendjes. Kontrata duhet parë dhe duhet hetuar nga institucionet përkatëse. SPAK, KQZ dhe institucionet e tjera ndërkombëtare, FBI, duhet të hetojnë në shpejtësi. Nga vijnë paratë?”, u shpreh ish-kreu i Gjykatës së Kasacionit, duke nënvizuar rëndësinë e transparencës dhe ligjshmërisë në këtë proces.

Deklaratat e Zef Brozit vijnë në një kohë kur çështja “non grata” e Sali Berishës vazhdon të jetë një temë e nxehtë në politikën shqiptare, duke ndikuar edhe në dinamikat brenda opozitës. Ai thekson se statusi “non grata” është një vendim i institucioneve shtetërore dhe nuk mund të ndryshohet nëpërmjet pagesave apo lobimeve. Apeli i tij për një hetim të thelluar nga autoritetet shqiptare dhe ndërkombëtare synon të zbardhë detajet e kësaj kontrate dhe burimin e fondeve të përdorura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *