Tiranë, 29 Prill 2025 – Gazetarja Klodiana Lala, gjatë një interviste në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka hedhur dritë mbi hetimet e nisura nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) lidhur me kontratën e lobimit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një marrëveshje me vlerë 6 milionë dollarë për një periudhë dyvjeçare.

Lala theksoi se SPAK po kryen verifikime të thelluara për të përcaktuar nëse ka dyshime për vepra penale në lidhje me këtë kontratë. Ajo paralajmëroi se nëse fondet e përdorura për këtë kontratë do të konsiderohen si donacion i huaj, Flamur Noka, firmëtari i kontratës, mund të përballet me arrestim”SPAK ditën e djeshme ka deklaruar zyrtarisht, që ka nisur verifikimet për kontratën e PD me një kompani lobuese në SHBA. Duhet theksuar, ligjërisht, kontratat për lobim janë të ligjshme. Në rastin konkret janë dy problematika. Bëhet fjalë për kontratë me afat 24 mujor. Prokurorët do të shohin, se cilat janë të ardhurat e përdorura për të paguar kompaninë lobuese,” shpjegoi Lala.

Ajo shtoi se një nga pikat kryesore të hetimit është burimi i financimit të kontratës. Sipas deklaratave, fondet vijnë nga një fondacion i quajtur MAGA, i financuar nga shqiptarë të Amerikës. Megjithatë, SPAK ende nuk ka verifikuar këto pretendime.

“Është deklaruar se bëhet fjalë për një fondacion, MAGA, të financuar nga shqiptarë të Amerikës, por nuk është hetuar ende nga prokuroria. Duhet që prokuroria amerikane, të hetojë për shkeljet e ligjit atje. Por mënyra e financimit është pika e parë që do të hetohet nga prokurorët këtu,” sqaroi Lala.

Gazetarja theksoi se hetimet e SPAK-ut do të fokusohen në ligjshmërinë e burimeve të financimit dhe nëse ato përbëjnë donacione të huaja, gjë që mund të ketë pasoja ligjore të rënda për Flamur Nokën dhe Partinë Demokratike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *