Pas vrasjes së 64-vjeçarit Gjovalin Prendi në Lezhë, e bija e tij, Viola Prendi, ka bërë thirrje për drejtësi dhe ka ofruar versionin e familjes mbi ngjarjet. Ajo ka theksuar se vrasja e të atit është humbja e katërt për familjen Prendi brenda 11 viteve.

Viola Prendi ka rrëfyer se gjithçka nisi nga një konflikt banal për një femër dhe ka akuzuar Ardian Gjeloshin, të birin Klajd Gjeloshi dhe aleatët e tyre si organizatorët e vrasjes së babait dhe vëllait të saj, Sidorel Prendi (i njohur edhe si Roan Brahimi). Ajo ka pohuar se këtë version e ka depozituar edhe në polici.

Duke hedhur poshtë dyshimet e policisë për lidhjen e vrasjes së të atit me të shkuarën e të vëllait, Viola Prendi ka mohuar kategorikisht përfshirjen e Sidorelit në vrasjen e Brilant Martinajt apo krime të tjera të fundit, duke argumentuar se ai nuk ka qenë në Shqipëri në atë kohë. Ajo ka pranuar se i vëllai ka pasur njohje me Ervis Martinajn, por ka insistuar se ai nuk ishte kundërshtar i tij. Sipas saj, një telefonatë mes tyre ka shkaktuar një revoltë të momentit, pas së cilës Sidoreli është kthyer në shtëpi atë natë pa u dhunuar.

Familja Prendi shprehet e tmerruar dhe e shqetësuar, veçanërisht për fëmijët, të cilët jetojnë nën frikën e vazhdueshme. Viola Prendi ka kërkuar nga autoritetet zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të autorëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *