Gazetari Eni Ferhati ka ofruar detaje të reja mbi atentatin në Tiranë, ku u plagosën katër persona. Ai ka bërë të ditur se pista fillestare që sugjeronte se shënjestra mund të ketë qenë gruaja e Roan Brahimit po përjashtohet nga hetimet.
“Lidhja me gruan e Roan Brahimit ka qenë dyshimi paraprak në këtë ngjarje të rëndë,” ka deklaruar Ferhati. “Me filtrimin e informacioneve, provave në vendngjarje, informacioneve operative, bëhet dhe përjashtimi i pistave. Gjatë këtyre ditëve janë marrë në pyetje dhjetëra persona dhe individë që kanë përdorur këto lloj mjetesh.”
Ferhati ka theksuar se po shkohet drejt përjashtimit të kësaj piste dhe ka ngritur pyetjen se çfarë lloj konflikti mund të jetë ai që urdhëron goditjen edhe mbi fëmijët. Ai ka shtuar se dyshohet se atentati mund të jetë i paguar dhe ka vënë në dukje numrin e madh të automjeteve tip G-Class në Tiranë, të përdorura nga persona të botës së krimit ose biznesit, me targa të përafërta që fillojnë me “00”, të cilat kanë qenë objekt verifikimi nga grupi hetimor.
Sipas Ferhatit, pas kësaj ngjarjeje fshihet një grup i strukturuar kriminal dhe raste të tilla kërkojnë një nivel tjetër hetimor, duke mos përjashtuar përfshirjen e SPAK në hetime.