Gazetari Sokol Bregu, duke komentuar atentatin me katër të plagosur në rrethrrotullimin e Shkozës në Tiranë, në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka ngritur dyshime të forta mbi numrin e personave të përfshirë dhe lidhjen e këtij sulmi me ngjarje të tjera kriminale.
Sipas Bregut, dyshohet se në atentatin e Shkozës ka marrë pjesë një grup prej 16 personash. Ai ka shtuar se i njëjti grup mund të jetë përgjegjës edhe për ngjarjen e ndodhur në Don Bosko gati dy vite më parë, ku u vra gabimisht një banakiere, ndërsa shënjestra e vërtetë ishte Fatjon Murati. Bregu theksoi se në atë rast u hap zjarr i pakontrolluar nga jashtë.
Gazetari ka spekuluar nëse autorët mund të kenë ngatërruar targën e automjetit në Shkozë, duke vënë në dukje se policia po heton në tre pista. Ai ka përmendur se shumica mendojnë se ngjarja nuk ka lidhje me familjen e kompanisë së sigurisë, ndërsa dy pista të tjera lidhen me ngjarjen e fundit në Lezhë.
Bregu ka sjellë në vëmendje një precedent të ngjashëm në Shqipëri, atentatin ndaj Emiljano Shullazit, ku shënjestra nuk u vra, por u plagos shoku i tij. Ai e ka cilësuar grupin e dyshuar si “të jashtëzakonshëm” nëse atentati në Shkozë ka ndodhur në këtë formë.