Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinë (UNRWA) ka lëshuar një paralajmërim alarmant për situatën në Gaza, duke theksuar se territori po shkon drejt një katastrofe të thellë humanitare. Sipas agjencisë, përreth dy muaj nuk është bërë i mundur dërgimi i furnizimeve dhe ndihmave esenciale për rreth 2 milionë banorë të Gazës.
Raporti i UNRWA thekson se përveç mungesës akute të ushqimit, një problem jetik është edhe mungesa e ujit të pijshëm, i cili është gjithnjë e më i vështirë për t’u siguruar. Kufizimet e vazhdueshme kanë çuar në një rënie drastike të furnizimeve jetësore në Rripin e Gazës, duke rritur ndjeshëm rrezikun e një krize humanitare të përmasave të mëdha nëse nuk ndërhyhet urgjentisht.
UNRWA thekson nevojën e menjëhershme për hapa konkretë për të parandaluar thellimin e kësaj krize. Lidhur me mungesën e ujit, raportohet se disa komuna kanë humbur burimet kryesore të ujit të pastër, duke detyruar banorët të udhëtojnë distanca të gjata për t’u furnizuar me këtë lëng jetësor.
Një tjetër shqetësim madhor mbetet sektori i shëndetësisë, ku barnat dhe furnizimet e tjera mjekësore po mbarojnë me shpejtësi, duke rrezikuar seriozisht funksionimin normal të spitaleve dhe qendrave shëndetësore.
Sipas UNRWA, mbi 390 mijë njerëz janë detyruar të zhvendosen brenda Gazës në periudhën 18 Mars – 6 Prill, pas prishjes së armëpushimit të fundit, duke e rënduar edhe më tej situatën humanitare tashmë kritike.