NATO ka ngritur alarmin për një zhvillim shqetësues të mundshëm. Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, ka deklaruar se NATO është në dijeni të indikacioneve që Rusia po shqyrton mundësinë e vendosjes së armëve bërthamore në hapësirë.
Sipas Rutte, aftësitë aktuale hapësinore të Moskës janë të vjetruara dhe nuk krahasohen me ato perëndimore. Ai theksoi se zhvillimi i armëve bërthamore në hapësirë mund t’i japë Rusisë një avantazh të ri, duke e cilësuar këtë si një burim të madh shqetësimi për aleancën.
Edhe pse këto armë anti-satelitore nuk do të drejtoheshin drejtpërdrejt ndaj Tokës, shkatërrimi i satelitëve mund të shkaktojë kaos global, duke qenë se shumë sisteme kritike varen nga funksionimi i tyre.
Rutte paralajmëroi gjithashtu se një veprim i tillë nga Rusia do të përbënte një shkelje të mundshme të Traktatit të Hapësirës së Jashtme të vitit 1967, i cili detyron vendet nënshkruese për përdorimin paqësor të hapësirës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vuri në dukje se konkurrenca në hapësirë është intensifikuar ndjeshëm vitet e fundit, duke e bërë mjedisin atje më të mbushur, të rrezikshëm dhe të paparashikueshëm, me implikime të drejtpërdrejta edhe për sigurinë dhe mbrojtjen.