Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot ujërat e Durrësit, ku një çift turistësh anglezë u rrëzua nga një Jet Ski, duke lënë pas një viktimë dhe një të plagosur rëndë. Policia e Durrësit ka lëshuar një njoftim zyrtar lidhur me aksidentin.
Sipas policisë, dy turistët, S. O., 34 vjeç, dhe V. B., 31 vjeçe, të dy banues në Angli, po lundronin me Jet Ski. Dyshohet se gjatë disa manovrave, ata kanë humbur kontrollin e mjetit lundrues dhe kanë rënë në det.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare u nisën me mjet lundrues në ndihmë të tyre. Ata i transportuan turistët drejt portit, me qëllim transportimin e menjëhershëm drejt spitalit.
Nga verifikimet paraprake të ekipit të urgjencës në spital, i cili ishte në pritje në port, u konfirmua se S. O., 34 vjeç, kishte ndërruar jetë. Ndërsa V. B., 31 vjeçe, u transportua menjëherë në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie dhe dokumentimin ligjor të rastit.