Tiranë: Bie pista e gruas së Roan Brahimit, policia ndjek një “G Class” të dytë
Një kthesë e re ka ndodhur në hetimet për atentatin e 17 prillit në Lundër, ku u plagosën katër të rinj. Pista fillestare që sugjeronte se shënjestra mund të ketë qenë gruaja e Sidorel Prendit alias Roan Brahimi, shtetësja me iniciale A.B., tashmë ka rënë.
Grupi hetimor është fokusuar në analizimin e kamerave të sigurisë nga vendi i atentatit deri në Lundër. Sipas hetimeve, sulmi dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 21:30, ndërsa mjeti “G Class” me katër të rinjtë mbërriti në Lundër pak minuta më vonë, i shpuar nga plumbat.
Një detaj i rëndësishëm është se vetëm 4-5 minuta pas mjetit të plagosur, në Lundër ka kaluar edhe një “G Class” tjetër, i cili ende nuk është identifikuar qartë nga hetuesit për shkak të mungesës së pamjeve të qarta të targës.
Alibia e shtetases A.B. rezulton e fortë. Në orën kur ndodhi atentati, ajo ndodhej në spitalin e Lezhës, ku rreth 1 orë e 30 minuta më parë i kishin ekzekutuar vjehrrin. Ajo ishte nisur nga Tirana në orën 20:15 dhe kishte mbërritur në spitalin e Lezhës në orën 21:15, duke u kthyer në banesën e saj në Lundër rreth orës 23:30. Ajo ka dëshmuar se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se ndodhej në Lezhë pas lajmit për të vrarin.
Tashmë, hetuesit po përqendrohen tek automjeti i dytë “G Class” për të zbuluar nëse ai ka qenë shënjestra e vërtetë e atentatit dhe jo mjeti ku udhëtonin katër të rinjtë e plagosur. Kjo kthesë pritet të hedhë dritë të re mbi motivet e mundshme të kësaj ngjarjeje të rëndë.