Spiropali në Kamëz: PS me “skuadër të re” për anëtarësimin në BE

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, prezantoi në Kamëz kandidatët e Partisë Socialiste (PS) për zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se kjo është një “skuadër e re” që do të punojë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në prezantimin e kandidatëve Lindita Nikolla, Sofika Lleshi, Kejsi Elezi dhe Halil Koloshi, Spiropali theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, duke i cilësuar si “historike”.

“Këto janë zgjedhje historike. Shqipëria ka një shans të artë për të bërë hapin e madh drejt anëtarësimit të plotë në BE: të mbyllim procesin teknik të negociatave brenda dy viteve; të finalizojmë ratifikimin nga të gjitha parlamentet e vendeve anëtare dhe brenda kësaj dekade Shqipëria të anëtarësohet në familjen europiane,” deklaroi Spiropali.

Ajo shtoi se vetëm kryeministri Edi Rama mund të realizojë këtë objektiv, duke iu referuar “punës së tij” dhe “rolit të rëndësishëm” që Shqipëria ka marrë në NATO dhe BE.

Spiropali theksoi se PS është “forca e vetme që garanton vazhdimin e zhvillimit, rritjes së investimeve e pagave, përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e cilësisë së arsimit”.

Prezantimi i kandidatëve në Kamëz vjen në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, ku PS synon të fitojë besimin e qytetarëve për të vijuar reformat dhe procesin e integrimit evropian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *