Blushi: Meta në listë të hapur nga paraburgimi, sfidon klasën politike
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë (PL), Tedi Blushi, ka deklaruar se Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim, ka vendosur të kandidojë në listë të hapur për dy arsye kryesore: parimore dhe për të dhënë një shembull personal.
Në një intervistë për emisionin “Real Story”, Blushi theksoi se Meta është i vetmi anëtar i PL-së që ka mundur të takojë ish-presidentin në paraburgim, ndërsa deputetëve të tjerë të partisë u është refuzuar e drejta e takimit.
“Dy deputetët aktualë nuk lejohen të zhvillojnë takime me presidentin Meta. Deputetët apo eurodeputetët në bazë të ligjit kanë të drejtë pa autorizim të takojnë ose të hyjnë në paraburgim. Krejt e kundërta ka ndodhur në rastin e deputetëve të PL,” u shpreh Blushi.
Sipas Blushit, vendimi i Metës për të kandiduar në listë të hapur vjen si një akt sfidues ndaj klasës politike, duke dhënë një shembull personal të guximit dhe vendosmërisë, edhe në kushte izolimi.
“Së pari e ka sqaruar që ka dy arsye: parimore sepse Meta dhe PL tani gjithmonë kanë qenë partizan të listave të hapura. Arsyeja tjetër ishte sepse Meta ka dhënë shembullin personal që në kushte izolimi ka vendosur të kandidojë dhe sfidojë klasën politike duke hyrë në listën e hapur edhe pse në kushte aspak normale ku ai e ka të pamundur edhe të komunikojë. I pari që ka luftuar dhe që ka bërë grevë për listat e hapura.” tha Blushi.
Blushi nënvizoi se Meta ka qenë gjithmonë një mbështetës i listave të hapura dhe se ky vendim i tij konfirmon angazhimin e tij ndaj këtij parimi. Ai shtoi se Meta, duke kandiduar në kushte të tilla, dëshiron të tregojë se asnjë pengesë nuk mund ta ndalojë atë të sfidojë klasën politike dhe të mbrojë parimet e tij.