Tiranë, Shqipëri – Rikthimi i ekspertëve të Zyrës së Prokurorisë Amerikane për Zhvillim, Ndihmë dhe Trajnim (OPDAT) në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe të FBI-së në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) konsiderohet një çështje e interesit kombëtar nga administrata e Presidentit Donald Trump.
Ky qëndrim zyrtar u bë i ditur përmes një komenti të një zyrtari të Ambasadës Amerikane në Tiranë, në përgjigje të interesimit të gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, lidhur me arsyet e rikthimit të këtyre ekspertëve javën e kaluar.
Në përgjigjen e dërguar me postë elektronike për Top Channel, Ambasada sqaroi se ky rikthim vjen në kuadër të një rivlerësimi të gjerë të ndihmës së huaj amerikane, të iniciuar nga Sekretari Rubio pas Urdhrit Ekzekutiv të Presidentit Trump të datës 20 janar. Ky urdhër synon të sigurojë që programet e ndihmës të jenë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA-së nën agjendën “Amerika e Para”.
“Në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv të presidentit Trump të datës 20 janar për rivlerësimin dhe riorganizimin e ndihmës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, sekretari Rubio nisi një rishikim të të gjithë ndihmës së huaj të SHBA për t’u siguruar që programet të jenë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA nën agjendën ‘Amerika e Para’. Disa programe që konsiderohen thelbësore për interesat kombëtare të SHBA kanë rifilluar, ndërkohë që rishikimi i ndihmës së huaj është ende duke u zhvilluar,” thuhet në reagimin e Ambasadës.
Ky reagim zyrtar i parë nga selia e Washingtonit në Tiranë pas ardhjes së Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë i jep fund spekulimeve dhe reagimeve entuziaste të disa politikanëve shqiptarë, të cilët kishin interpretuar largimin e përkohshëm të ekspertëve amerikanë si një tërheqje të mbështetjes së SHBA-së për institucionet e reja të drejtësisë. Komenti i Ambasadës tregon qartë se administrata Trump e sheh mbështetjen për SPAK dhe BKH si një element kyç të interesave kombëtare amerikane në rajon.
Ndërkohë, sipas informacioneve, çdo program tjetër i ndihmës amerikane për Shqipërinë mbetet i bllokuar, duke theksuar prioritetin e veçantë që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë forcimit të institucioneve anti-korrupsion dhe luftës kundër krimit të organizuar në vend. Ky zhvillim pritet të ketë implikime të rëndësishme në dinamikat politike dhe në ecurinë e reformës në drejtësi në Shqipëri.