Avokati Spartak Ngjela ka ironizuar rikthimin e konsulentit amerikan Chris LaCivita në fushatën e Partisë Demokratike, duke e cilësuar si një “mashtrim” të kryetarit Sali Berisha. Sipas Ngjelës, Berisha po përpiqet të shesë një individ të zakonshëm si përfaqësues të “amerikanizmit”, ndërkohë që LaCivita nuk ka asnjë lidhje me Uashingtonin zyrtar.
I ftuar në “Studio Live” në Report Tv, Ngjela komentoi zhvillimet e fundit politike, duke përfshirë akuzat mes PD-së dhe PS-së për programet elektorale. Ai hodhi poshtë pretendimet e PD-së për vjedhje programi nga PS-ja, duke theksuar se Edi Rama i ka të sigurta zgjedhjet jo për shkak të mbështetjes së madhe elektorale, por për shkak të pranisë së Sali Berishës në krye të opozitës.
Ngjela ishte i qartë se një individ i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara, siç është Berisha, nuk mund të bëhet kurrë kryeministër i Shqipërisë. Ai e akuzoi Berishën se po mban peng Partinë Demokratike dhe po e çon drejt humbjes së sigurt.
“Fushatat elektorale që marrin presidentët në perëndim janë të paguara si organizma, nuk janë pjesë e stafit dhe politikës amerikane në këtë rast,” tha Ngjela, duke shtuar se Berisha po përdor këtë bashkëpunim për të krijuar iluzionin e mbështetjes amerikane. “Janë nonsense këto, kjo ka qenë fushata e Berishës gjithë jetën, nonsens dhe mashtrim. Nuk ka vota ai. Duhet të largohet që t’i japë PD-së mundësinë për të ardhur në pushtet, nuk vjen dot në pushtet.”
Ngjela përfundoi duke theksuar se statusi “non grata” i Berishës në Shtetet e Bashkuara e bën të pamundur fitoren e zgjedhjeve dhe marrjen e pushtetit.