Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë këtë të enjte në Kuç të Vlorës, ku në një ambient me anëtarë të Partisë Socialiste dhe qytetarë, ka bërë përllogaritje të mandateve të mundshme në zgjedhjet e ardhshme.  

Gjatë takimit, Rama ka shkruar shënime në mbulesën e tavolinës, duke bërë batuta se mbulesa do të ruhet nga pronari i ambientit dhe do të shitet për 5 mijë euro si një relike.  

“Do ta vërë në kornizë këtë. Do ta shesë 5 mijë euro?” tha Rama, duke shkaktuar të qeshura mes të pranishmëve.

Më pas, duke iu referuar shënimeve në mbulesën e tavolinës, Rama ka deklaruar se Partia Socialiste nuk do të marrë më pak se 78 mandate në zgjedhjet e ardhshme. Ai ka përmendur se do të ketë të paktën plus një mandat në Shkodër, Elbasan dhe zona të tjera.

“Minimumi është plus 1 mandat në Shkodër, Elbasan, etj. Nën 78 mandate nuk bie Partia Socialiste. Nuk është as fall, as lotari. Më dëgjo mua. Është memorandum. Nuk jemi për t’u tallur, se memorandumet janë për historinë,” ka theksuar Rama.

Deklarata e Ramës vjen në një kohë kur fushata elektorale po intensifikohet, dhe partitë politike po përpiqen të sigurojnë mbështetjen e elektoratit. Përllogaritja e mandateve në një mjedis joformal, siç është një tavolinë në Kuç, tregon përpjekjet e Ramës për të ndërtuar një narrativë fitoreje për Partinë Socialiste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *