Pas arrestimit të Ergys Isufit, kandidatit të “Nismës Shqipëria Bëhet” në Sarandë, i cili u kap nga policia me kokainë në xhep, partia ka reaguar përmes Ferdinand Dervishit, gazetar dhe kandidat i kësaj force politike.

Dervishi ka replikuar me ministrin Taulant Balla, i cili publikoi lajmin e arrestimit, duke ironizuar dhe vënë në dyshim versionin e policisë. Ai ka theksuar se Isufi u kap me një dozë kokainë, duke bërë krahasime me raste të tjera të dyshuara për trafik droge, siç janë tonelatat e kokainës që dyshohet se kalojnë në Portin e Durrësit, duke aluduar për përfshirje të mundshme të zyrtarëve të lartë.

“Po o profesor i sharjes dhe shpifjes! U kap duke blerë një dozë – thotë zyrtarisht Policia. Nuk u kap duke mbjellë gjithë Shqipërinë me kanabis në 2016 me urdhër nga zyra e km tënd. Nuk ka lidhje as me tonelatat me kokainë që kalojnë prej 3 vitesh pa asnjë humbje ne një nga Portet e Durrësit,” shkruan Dervishi.

Dervishi ka theksuar se partia e tyre dënon çdo veprim të paligjshëm, por ka shprehur mosbesim ndaj Policisë së Shtetit, duke argumentuar se në 48 orët e fundit kanë ndodhur dy incidente që kanë cënuar kandidatët e tyre. Ai ka përmendur kërcënimin e një kandidateje në Durrës, të cilin e konsideron të falsifikuar nga autoritetet.

“Se pas ashpërsimit të gjuhës së km tënd ndaj “Shqipëria Bëhet” u bënë dy incidente ne 48 orë. Kërcënimin e kandidates sonë ne Durrës e e falsifikuat me urgjencë duke ja faturuar një qytetari me çrregilullime mendore. Për këtë të Sarandës duhet të presim,” ka shtuar Dervishi.

Reagimi i Dervishit tregon një qëndrim të ashpër të partisë “Shqipëria Bëhet” ndaj autoriteteve dhe një dyshim të thellë ndaj versionit zyrtar të ngjarjes. Ata kërkojnë hetime të pavarura dhe presin të shohin zhvillime të mëtejshme në këtë rast.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *