Kryeministri Edi Rama vijoi turin e takimeve me diasporën, duke ndalur këtë herë në Kretë, ku zhvilloi një takim me shqiptarët e këtij ishulli. Takimi u mbajt në stadiumin “Kladiddos”, ndërsa drejtuesi politik i PS për diasporën, Taulant Balla, shfrytëzoi rastin për t’u bërë thirrje shqiptarëve të votojnë më 11 maj me shpresën për të marrë pasaportën e BE-së.
Rama shprehu kënaqësinë që më në fund i ishte dhënë mundësia të vizitonte Kretën, duke e cilësuar atë si një vend me histori të pasur dhe me rëndësi të madhe jo vetëm për Greqinë, por për të gjithë Europën. Ai kujtoi mitin sipas të cilit Zeusi rrëmbeu princeshën Europa në Kretë, nga e cila më pas mori emrin kontinenti.
“Më në fund m’u dha mundësia të vij këtu në Kretë, nëvendlindjen e Zeusit. Sipas mitologjisë, Zeusi rrëmbeu princeshën, emri i saj ishte Europa. Nga këtu, Europa mori emrin,” tha Rama, duke theksuar më pas kontributin e madh të Kretës për kulturën greke, europiane dhe botërore.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama u ndal veçanërisht te roli historik i arvanitasve në Greqi dhe konkretisht në Kretë. Ai theksoi lidhjen e pandashme të shqiptarëve me historinë dhe jetën e Greqisë në çdo periudhë.
“Arvanitasit janë të njohur se për vite të tëra kanë qenë mbrojtësit e Kretës,” u shpreh Rama. “Si ushtarë, ishin në vijën e veneciancëve dhe i mbajtën otomanët jashtë Kretës. U bënë pjesë e historisë dhe jetës së këtij ishulli të jashtëzakonshëm.”
Duke iu drejtuar shqiptarëve të pranishëm, Rama e përmbylli fjalën e tij me një mesazh bashkëpunimi dhe optimizmi për të ardhmen. “Jemi bashkë për të shkruar një copëz tjetër historie,” tha ai, duke nënkuptuar rëndësinë e diasporës shqiptare në ndërtimin e së ardhmes së Shqipërisë dhe marrëdhënieve me vendet ku ata jetojnë.
Takimi i Ramës në Kretë shërben si një tjetër dëshmi e rëndësisë që qeveria shqiptare i kushton lidhjeve me diasporën dhe vlerësimit të kontributit të shqiptarëve në historinë dhe kulturën e vendeve të ndryshme. Referenca e veçantë ndaj arvanitasve thekson lidhjet e forta historike dhe kulturore mes popullit shqiptar dhe atij grek.