Tiranë, Shqipëri – Vijon dëshmia e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani në seancat e Gjykatës së Posaçme për dosjen “Plumbi i Artë”, duke zbardhur detaje të reja mbi njohjet dhe marrëdhëniet e tij me personazhe të ndryshëm të përfshirë në ngjarje kriminale.
Gjatë marrjes në pyetje nga avokati Gentian Rumano, Dumani foli rreth njohjes së tij me Henrik Hoxhajn. Sipas dëshmisë së tij, ai dhe Hoxhaj janë takuar për herë të parë në fund të vitit 2019, në festën e ditëlindjes së Festim Qolit. “Me Henrik Hoxhajn jam njohur në dhjetor 2019. Jemi takuar fizikisht në 30 dhjetor 2019. Atë ditë ka qenë ditëlindja e Festim Qolit, e festonim çdo vit me daulle. Hera e parë qe shkoja te ditëlindja e Festim Qolit, erdhën diku te 50 veta,” rrëfeu Dumani.
Ai shtoi se shumë prej personave të pranishëm në festë i njihte, dhe se Festim Qoli e prezantoi me Henrik Hoxhajn brenda në lokal. Dumani kujtoi gjithashtu ta kishte parë Hoxhajn një herë më parë në makinë, kur Festim Qoli ishte në kërkim për një vrasje.
Duke folur për marrëdhënien me Hoxhajn, Dumani tha se kishin ndarë informacione mbi ngjarje të ndryshme kriminale, përfshirë vrasjen e Fatmira Dedës. Megjithatë, ai nuk ngurroi të shprehte mendimin negativ për Hoxhajn: “Henrik Hoxhaj ishte drogaxhi, gënjeshtar. Unë dhe Henrik Hoxhaj kemi konsumuar bashkë lëndë narkotike kokainë në ditëlindjen e Festimit. Për ngjarjet që kam organizuar në shumicën e rasteve nuk i tregoja Herikut, sepse nuk ishte i qëndrueshëm, fliste me të tjerët.”
Dumani zbuloi gjithashtu njohjen e tij me Eljo Bitrin në vitet 2013-2014, duke shtuar se Hoxhaj e kishte takuar Bitrin dy herë. “Një herë kemi qenë te shtëpia ime kemi pirë kafe, ndërsa herën tjetër te vrasja e Dorjan Shkozës,” përfundoi dëshminë e tij për këtë pjesë Dumani.
Dëshmia e Nuredin Dumanit vazhdon të hedhë dritë mbi dinamikat dhe lidhjet brenda grupit të akuzuar në dosjen “Plumbi i Artë”, duke nxjerrë në pah mosbesimin dhe dyshimet mes anëtarëve.