Pesë persona janë arrestuar në doganën e Kapshticës, mes të cilëve katër janë punonjës policie të kësaj pike kufitare. Ata akuzohen se nuk kanë ushtruar kontroll ndaj një automjeti, duke lejuar kalimin e rreth 6 kilogramë heroinë të ndarë në pako.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka zbardhur identitetet e të arrestuarve:
- Valmir Balliu, banues në Vërdovë, Pogradec, i cili ishte shoferi i mjetit ku u kap droga.
- Nënkomisar Ylli Dushku, Përgjegjës Turni në PKK Kapshticë.
- Inspektor Franc Bylyku, Nën-specialist Kontrollor në PKK Kapshticë.
- Inspektor Lirim Hymetllari, Trupë Shërbimi në PKK Kapshticë.
- Inspektor Denion Myteberi, Trupë Shërbimi dhe Kontrollor i vijës së dytë në PKK Kapshticë.
Hetimet kanë dokumentuar me prova përfshirjen e punonjësve të policisë në trafikun e lëndës narkotike. Ata akuzohen se me mosveprimet e tyre dhe në shkelje të ligjit, nuk kanë kontrolluar mjetin e drejtuar nga Valmir Balliu, ku ishte fshehur heroina.
Gjatë operacionit, janë sekuestruar 6 kg e 134 gramë lëndë narkotike e dyshuar “Heroinë”, si dhe prova të tjera materiale përfshirë 5 aparate celularë, 256 fishekë pistoletë (model TT), 20 fishekë armë gjahu (model 12) dhe një automjet.