Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, do të dalë sërish para Gjykatës së Apelit këtë të hënë, më 9 qershor, në orën 14:00. Seanca do të shqyrtojë ankimin ndaj vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, i cili mbajti në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”.
Veliaj, i arrestuar më 10 shkurt, rëndohet nga 12 akuza për katër vepra penale të ndryshme: korrupsion pasiv dhe aktiv i funksionarëve të lartë, pastrim parash, dhe refuzim/deklarim i rremë i pasurive. Këto akuza vijnë nga hetimet paraprake të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për procedimin penal Nr. 27 të vitit 2024.
Gjyqtari i çështjes pritet të jetë sërish Engert Pëllumbi, i cili më parë ka vendosur për mbajtjen e Veliajt në arrest. Ndërkohë, përmes avokatëve të tij, Veliaj ka kërkuar një masë sigurie më lehtësuese, konkretisht lirimin me garanci pasurore.
Kjo kërkesë ngre pikëpyetje të forta, sidomos duke pasur parasysh se SPAK ka komunikuar se Veliaj ka konsumuar nëntë herë veprën penale të korrupsionit. Pyetja e rëndësishme që shtrohet është se me cilat para do të paguhet garancia, kur pikërisht Prokuroria po heton pasuritë e tij.
Përveç Veliajt, akuza janë caktuar edhe për disa persona të tjerë të përfshirë në këtë hetim, përfshirë bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, dhe biznesmenët G.S., M.P., F.B., S.K., dhe Sh.F. Kjo çështje vijon të jetë në qendër të vëmendjes publike dhe politike në Shqipëri.