Një debat i ashpër ka shpërthyer në sallën e gjyqit të GJKKO-së mes Plaurent Dervishajt dhe Erjon Alibejt, ku ky i fundit është dëshmitar. Dervishaj, para se të largohej nga salla, e ka pyetur Alibejn nëse ai ka qenë i gatshëm të marrë pjesë në atentatin ndaj Arjan Ndojës.
Alibej ka pranuar se i ka thënë Dervishajt se do të merrte pjesë në atentatin që Dervishaj po planifikonte ndaj Ndojës në një lokal në Gjirin e Lalzit, pasi prokurori i shpëtoi një ngjarjeje të mëparshme më 1 nëntor 2019. Alibej shpjegoi se nuk e dinte arsyen pse Dervishaj donte ta vriste Ndojën, por ia ofroi ndihmën për të treguar besnikëri. Ai kujton se bëhej fjalë për një atentat që i ishte bërë Dervishajt dhe ky i fundit dyshonte për diçka që lidhej me Portin e Durrësit.
Në një moment tjetër, Dervishaj e pyeti Alibejn nëse kanë biseduar bashkë për të vrarë dikë në Dubai, Itali apo Spanjë, si dhe për tentativat e Alibejt për të vrarë Franc Çopjan dhe vëllain e tij. Kur Alibej përmendi “kolegët e tu të punës”, Dervishaj iu përgjigj prerazi: “Altin Dumani t’i ka dhënë informacionet gabim djalë.” Ai i kërkoi Alibejt të sqaronte cilët ishin këta “kolegë” dhe pse Alibej mori statusin e të penduarit, por gjykata nuk e lejoi këtë pyetje.
Debati u përshkallëzua me Dervishajn që ofendoi Alibejn, duke bërë që gjykata ta largonte nga salla. Dervishaj i drejtoi Alibejt fjalët: “Të ishe trim ti merrje hakun e vëllait,” duke iu referuar vrasjes së vëllait të Alibejt.