Një dosje hetimore e siguruar nga “Ora News” ka zbuluar një situatë alarmante në sistemin penitenciar shqiptar, ku sendet e palejuara si telefonat po futen lirshëm në burgje. Kjo u ka mundësuar personave me rrezikshmëri të lartë, siç është Laert Haxhiu, të vazhdojnë të japin urdhra dhe të drejtojnë aktivitetin kriminal të grupit të tyre, edhe pse ndodhen të izoluar.

Dosja flet për një aktivitet të shtuar të grupit të Haxhiut, i cili, edhe pse i izoluar në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës, u interceptua nga skuadra operacionale e Burgjeve. Kjo skuadër konstatoi dhjetëra thirrje telefonike të kryera nga Haxhiu.

Gjetja e telefonave dhe kush janë të dyshuarit

Materiali hetimor thekson se tre anëtarët kryesorë të grupit të Laert Haxhiut, të dënuar me burgim të përjetshëm, Anterio Kaloshi, Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili, janë përqendruar në sektorin “A” të burgut të Drenovës, duke vuajtur dënimin në dhoma ngjitur me njëra-tjetrën (Nr. 4, 5 dhe 6). Në këto dhoma qëndrojnë edhe të dënuar të tjerë si Xhensi Lipo (i dënuar me 19 vite burg për vrasjen e Erjon Ibit) dhe Vladimir Kurti (i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Agim Bucit).

Gjatë kontrollit të kryer në mëngjesin e 29 qershorit 2025 nga forcat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, u gjetën dhe sekuestruan:

  • 4 aparate telefonike të markave “iPhone” dhe “Samsung”.
  • Kufje të markave “AWEI” dhe “IPODS”.
  • Karikues të ndryshëm.

Kontrolli u ushtrua në ambientet e sektorit 2, godina “A”, kati i parë, në dhomat Nr. 4, 5 dhe 6. Në dhomën Nr. 4, ku banonin Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili, u gjetën kufje dhe një fishë karikimi. Jashtë, mes dritareve të dhomave Nr. 4 dhe Nr. 5, u gjetën 3 celularë, dy “iPhone” në gjendje të rregullt dhe një “Samsung” i dëmtuar me ekran të thyer. Këto telefona u hodhën nga të dënuarit pasi panë skuadrën operacionale duke hyrë për kontroll. Pamjet filmike nga kamerat e sigurisë janë sekuestruar për të zbardhur se kush i hodhi telefonat.

Në dhomën Nr. 6, ku vuan dënimin Laert Haxhiu, u gjetën një karikues, një telefon i zi “iPhone” dhe një palë kufje “iPods”. Menjëherë pas këtij konstatimi, Drejtoria e Burgut të Drenovës mori vendim për izolimin e Laert Haxhiut më 29 qershor.


Hetimet në vazhdim dhe sfidat e sistemit

Deri në këtë fazë të hetimit, mbetet e paqartë se kush është personi që ka furnizuar grupin e Laert Haxhiut me mjete telefonike. Prokuroria e Korçës, e cila po ndjek rastin, po kryen një seri veprimesh hetimore me shpresën e gjetjes së furnitorit.

Aparatet telefonike janë kqyrur dhe do të dërgohen për ekspertim kompjuterik. Në ndryshim nga raportimet e disa mediave, telefonat nuk janë marrë nga SPAK, por janë sekuestruar dhe administrohen nga Prokuroria e Korçës.

Prej dy ditësh, kjo prokurori ka regjistruar një dosje penale për akuzën e “Futjes së sendeve të palejuara në ambientet e brendshme të burgut”, ku të dyshuar janë të dënuarit Laert Haxhiu, Anterio Kaloshi, Orgest Bilbili, Vladimir Kurti dhe Xhensi Lipo. Për të thelluar hetimin, janë tërhequr dhe bërë pjesë e dosjes hetimore edhe çështjet penale të këtyre të dënuarve.

Laert Haxhiu, Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi vuajnë dënimin në burgun e Korçës, pasi janë dënuar të tre për akuzën e vrasjes së Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit, një ngjarje e vitit 2017 ku mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *