Pas 17-vjeçarit M.D., edhe 11-vjeçari D.D., i plagosur në atentatin e ndodhur një ditë më parë (17 prill) në Tiranë, është nisur për kurim të specializuar jashtë vendit. Lajmi konfirmohet nga gazetari Igli Çelmeta.
Gjendja e 11-vjeçarit raportohet të jetë e rëndë. Kujtojmë se në atentatin e ndodhur, një breshëri plumbash u lëshua drejt automjetit tip “G Class” ku ndodheshin katër të rinj: Arens Stafa, Kian Mullai dhe dy vëllezërit M.D. (17 vjeç) dhe D.D. (11 vjeç). Automjeti drejtohej nga Arens Stafa, 34 vjeç, shofer i familjes Demiraj. Në makinë ndodhej edhe shoku i tyre, Kian Mullahi, 19 vjeç.
NGATËRRIM I SHËNJESTRËS NË HETIM?
Hetimet për atentatin kanë marrë një kthesë të re, pasi hetuesit dyshojnë se autorët mund të kenë ngatërruar objektivin. Sipas burimeve, shënjestra e mundshme ka qenë bashkëshortja e Roan Brahimit. Babai i Roan Brahimit u ekzekutua në Pllanë të Lezhës rreth 45 minuta para atentatit në Tiranë. Gjovalin Prendi, 65 vjeç, u qëllua për vdekje brenda lokalit të tij.
Dyshohet se bashkëshortja e Roan Brahimit ka qenë në Pllanë në momentin e ekzekutimit të vjehrrit të saj dhe më pas është kthyer drejt banesës së saj në Lundër me automjetin e saj tip “G Class”.
Targa e makinës së gruas së Roan Brahimit ka një numër dhe një germë të ndryshme nga targa e “G Class”-it ku udhëtonin katër të rinjtë, automjet në pronësi të Vesel Demirajt, pronarit të “Pelikani Security”. Ky detaj dyshohet të ketë çuar në ngatërrimin e atentatorëve, duke qëlluar makinën e gabuar.
Autorët, që lëviznin me një motor “Dukati”, dyshohet se kanë nisur ndjekjen e “G Class”-it në rrethrrotullimin e Shkozës dhe më pas kanë qëlluar në drejtim të tij në ecje. Hetuesit besojnë se pas sulmit, autorët janë pritur nga një person tjetër me një automjet dhe janë larguar nga vendngjarja.
Deri më tani, policia nuk ka mundur të gjejë as motorin dhe as ndonjë automjet të djegur që mund t’u përkasë autorëve. Hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të atentatit dhe për të identifikuar personat përgjegjës.