Seanca e sotme në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka sjellë dëshmi të reja nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, duke zbardhur detaje rreth arratisjes së tij në Kosovë pas vrasjes së Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, si dhe rreth porosisë së atentatit ndaj Lulzim Mashës.
Dumani ka ripërsëritur rrëfimin e tij se pas dy vrasjeve të bujshme, ai dhe dy persona të tjerë në kërkim kanë kaluar doganën drejt Kosovës. “Kalova në doganë, unë isha pasagjer. Ishim tre vetë, të tre në kërkim, vetëm makina nuk ishte në kërkim,” ka thënë ai, duke shtuar se në Kosovë ka qëndruar deri në natën e fillimit të luftës në Ukrainë.
Në lidhje me atentatin e dështuar ndaj Lulzim Mashës, Dumani ka zbuluar se porosinë nuk e ka marrë drejtpërdrejt nga Aleksandër Baho, i njohur si “Sakati”, por nga Suel Çela. “Porosinë për Lulëzim Mashën ma ka dhënë Suel Cela,” ka deklaruar Dumani, duke shtuar se Fatmir Troplini ia kishte dhënë kontaktin e Çelës. Megjithatë, ai ka konfirmuar se ka folur edhe me Aleksandër Bahon për këtë vrasje.
Një tjetër detaj i rëndësishëm i dëshmisë së Dumanit ishte takimi i tij me Aleksandër Bahon në Kosovë. Ai ka treguar se Baho e kishte vizituar disa herë me makina të ndryshme, duke përfshirë një CLS dhe një Audi A8, duke ardhur jo vetëm për punë, por edhe për qejf.
Dumani ka shpjeguar se e ka marrë porosinë nga Suel Çela për interes financiar, fillimisht për 150 mijë euro dhe më pas për 200 mijë euro. Ai ka konfirmuar gjithashtu se Suel Çela i kishte thënë se porosia ishte për persona të tjerë.
I pyetur nëse Baho i kishte treguar se si njihej me Suel Çelën, Dumani është përgjigjur negativisht, duke shtuar se as Sueli nuk i kishte shpjeguar arsyen e porosisë. Kur Dumani i kishte treguar Henrik Hoxhës për vrasjen e Mashës, ky i fundit kishte thënë se e njihte dhe e konsideronte “plak të mbaruar”.
Për kryerjen e atentatit, Dumani i kishte dhënë Henrik Hoxhës disa mjete, përfshirë një Golf 4, dy armë zjarri (një “uzi” pistol dhe një pistoletë 9mm).
Dëshmia e Nuredin Dumanit vazhdon të hedhë dritë mbi lidhjet dhe dinamikat brenda botës së krimit, duke implikuar emra të njohur dhe duke zbuluar detaje të reja për ngjarje të rënda kriminale.