Dy ditë pas nisjes zyrtare të procesit të votimit, kanë mbërritur në Shqipëri kontingjenti i parë i votave të dërguara me postë nga Diaspora. Bëhet fjalë për 600 fletë votimi që kanë mbërritur deri më tani në vend, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Procesi i votimit për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit nisi në orët e para të mëngjesit të dy ditëve më parë, duke shënuar një moment historik për demokracinë shqiptare, pasi kjo është hera e parë që Diaspora ka mundësinë të marrë pjesë aktive në zgjedhje përmes votimit postar.
Votat e mbërritura nga emigrantët do të ruhen dhe administrohen në ambiente të sigurta brenda Parkut Olimpik në Tiranë, duke pritur numërimin final pas mbylljes së procesit zgjedhor në datën 11 maj.
Ky mbërritje e parë e votave nga Diaspora tregon interesin dhe angazhimin e komunitetit shqiptar jashtë vendit për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese dhe për të ndikuar në të ardhmen e Shqipërisë. Pritet që numri i votave të dërguara me postë të rritet ndjeshëm në ditët në vijim, deri në mbylljen e afatit të votimit.