6 milionë dollarë për Sali Berishën nuk janë një rastësi; Rama-Berisha po përdorin milionat e shqiptarëve për lobistë të dyshimtë, qëllimi nuk është forcimi i partive por i pushtetit të tyre personal. Nga partnerët e dyshimtë amerikanë, te “miqtë” serbë të Milorad Dodikut dhe lidhjet me Moskën.
Nëse dikush mendon se skandali i 6 milionë dollarëve që Sali Berisha po derdh në SHBA për të hequr damkën e “non gratës” është rast i izoluar, gabon rëndë. Milionat e shqiptarëve të varfër, nëpërmjet financimeve të errëta, prej vitesh kanë mbushur xhepat e lobistëve në Uashington dhe Bruksel për të mbajtur me zor në pushtet Edi Ramën dhe Sali Berishën.
Historia e lobimeve të dyshimta e me kosto të kripur për shqiptarët nis që në fillim të post-komunizmit, kur Berisha dhe më pas Rama nisën praktikën e pagesave marramendëse në të zezë për kompani e lobistë perëndimorë, thjesht për t’u dhënë pak shkëlqim imazhit të tyre të njollosur.Kjo praktikë vijon ende sot. Kontrata të fshehta milionëshe për lobim, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me fondet zyrtare të partive, por bëhen në mënyrë të errët dhe të dyshimtë, në emër të fuqizimit personal të liderëve që s’duan të lëshojnë karrigen.
Edi Rama, përveç milionave të shpërdoruara nëpërmjet kompanive si ajo e Alastair Campbell, Tony Blair apo sondazhistë italianë që paguhen shtrenjtë për të ndërtuar imazhin e tij fals në Perëndim, shkoi deri aty sa u lidh me shefin e FBI-së në New York, Charles McGonigal, për të goditur kundërshtarët politikë Lulzim Basha e Sali Berisha.
Nga ana tjetër, Sali Berisha e PD-ja kanë paguar prej dekadash miliona dollarë për kompani si Podesta Group, BG&R apo Manafort, të gjitha me rezultate të dështuara për Shqipërinë dhe për shqiptarët, por gjithmonë të suksesshme për xhepat e këshilltarëve të dyshimtë në Uashington.
Por skandali i fundit i Berishës është më shqetësues se të tjerët. 6 milionë dollarë për lobim janë një skandal jo vetëm financiar dhe moral, por shfaqin edhe një rrezik politik real: lidhjen direkte të Berishës me rrjetet e lobimit të Milorad Dodikut, presidentit famëkeq serb të Bosnjës, i cili është i shpallur gjithashtu “non grata” nga SHBA.
Lajmi që Rudy Giuliani, ish-avokati i Donald Trump-it, mund t’i bashkohet Berishës pasi u diskreditua me Dodikun në Bosnjë, ngre një pyetje akoma më të rëndë: cilët janë ata që financojnë në hije lobimet e Berishës në SHBA? A janë këto burime të njëjta që financojnë lobistët serbë e rusë, duke krijuar një front kundër interesave shqiptare?
Lobimet e dështuara të politikanëve të tjerë shqiptarë në Kosovë, Mal të Zi apo Maqedoninë e Veriut – nga Behgjet Pacolli te Dritan Abazoviç – janë dëshmi se këto shuma astronomike shërbejnë vetëm për t’i bërë më të pasur lobistët dhe jo për t’i sjellë ndonjë të mirë popujve.
Në Shqipëri situata është edhe më alarmante. Rama e Berisha, prej 30 vitesh, kanë krijuar një sistem pervers lobimi që nuk synon fuqizimin e partive, as hapjen e dyerve të Perëndimit, por mbajtjen e tyre të përjetshme në pushtet dhe frenimin e çdo lideri apo grupi të ri politik.
Paratë që derdhen në Uashington, Londër e Bruksel nuk janë për Shqipërinë dhe shqiptarët, por për pushtetin personal të Ramës dhe Berishës. Milionat shkojnë për kompanitë e këshilltarët që nuk sjellin asgjë tjetër veç “bekimit” politik nga jashtë, për regjimet e vjetra në Shqipëri.
E gjitha kjo nuk është vetëm një lojë politike. Është një mashtrim i rëndë ndaj shqiptarëve, ku miliona euro, të cilat mund të përdoreshin për shëndetësi, arsim apo infrastrukturë, bëhen tym në xhepat e lobistëve që po pasurohen nga dëshpërimi politik i dy liderëve kryesorë në Shqipëri.
Faktet janë para shqiptarëve. Ajo që mbetet për t’u parë është nëse drejtësia shqiptare do të reagojë ndaj kësaj korrupsioni të hapur, apo do të vazhdojë të jetë pjesë e farsës së përjetshme, ku Shqipëria është peng i dy liderëve të konsumuar që paguajnë milionat për t’u mbajtur në pushtet./Pamfleti