Partia Demokratike (PD) ka lëshuar një udhëzim të prerë për të gjithë kandidatët dhe eksponentët e saj, duke i urdhëruar të mos prononcohen në media lidhur me kontratën 6 milionë dollarëshe për lobim në Shtetet e Bashkuara. Sipas njoftimit, ky vendim vjen pas konsultimeve me ekipin amerikan të fushatës dhe synon të parandalojë shpërqendrimin nga programi dhe oferta ekonomike e PD-së në prag të zgjedhjeve.
Në njoftim, PD-ASHM (Aleanca për Shqipërinë Madhështore) thekson se kryeministri Rama është “i tmerruar nga humbja e afërt” dhe po tenton të devijojë vëmendjen nga dështimet e tij 12-vjeçare duke u fokusuar në temën e “kontratës”. Partia thekson se është “më e fortë se kurrë” duke pasur si strateg të fushatës Chris Lacivitan, konsulentin e Presidentit Trump, dhe si avokat të kauzave të saj avokatin e po këtij presidenti.
“Përqendrimi i medias, me urdhër të Ramës, te tema e ‘kontratës’ është një përpjekje për ta shpërqendruar fushatën tonë dhe tërhequr vëmendjen e publikut nga dështimet e Ramës në 12 vjet dhe mungesa e ofertës,” thuhet në njoftim.
PD-ASHM argumenton se duke qenë se fushata e tyre po shënon rritje, do të ishte një “gabim strategjik” të ndihmonin qeverinë të largonte vëmendjen nga thelbi i fushatës. Sipas tyre, partia ka dhënë tashmë qëndrimin e saj përfundimtar mbi këtë çështje në deklaratën e së shtunës.
Kryetari i PD-ASHM, Sali Berisha, fton të gjithë demokratët të angazhohen fuqimisht në dy javët e mbetura të fushatës për të arritur “Shqipërinë Madhështore”. Njoftimi përfundon me mesazhin “Fitorja është afër dhe ditët e Ramës janë të numëruara.”
Ky urdhër heshtjeje vjen në një kohë kur detaje të reja kanë dalë në dritë mbi fondacionin “Make Albania Great Again” (MAGA), i cili do të paguajë shumën e lobimit, duke ngritur pikëpyetje mbi krijimin e tij të shpejtë dhe burimet e financimit. Vendimi i PD-së për të mos komentuar më tej këtë çështje pritet të mbajë fokusin e fushatës tek programi i tyre politik dhe ekonomik.