Itali – Ka dalë në dritë dëshmia e dytë e Mark Antony Samson, 23-vjeçarit me origjinë filipinase i cili akuzohet për vrasjen e 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula. Samson ka rrëfyer se krimi makabër ndodhi pas një debati të ashpër, ku Ilaria i kishte vënë ultimatum për t’i treguar notat e universitetit. Kjo, sipas tij, ishte një traumë e vjetër që e ndiqte dhe ultimatumin e Ilarias e kishte perceptuar si kërcënim për ndarje.
Samson ka treguar se lidhja e tyre kishte nisur në prill 2023 dhe kishte pasur ulje-ngritjet e zakonshme. Por situata kishte ndryshuar kur Ilaria kishte insistuar të shihte rezultatet e tij akademike, duke i thënë se do ta linte nëse nuk e bënte. Edhe pse kishin vendosur të bënin një pushim në fund të janarit, ata kishin vazhduar të takoheshin, me Ilarian që sipas Samsonit sillej në mënyrë të paqëndrueshme.
Pas vrasjes me thikë, trupi i Ilaria Sulës u gjet i braktisur në një valixhe në fund të një shkëmbi. Hetimet zbuluan se nëna e Samsonit e kishte ndihmuar atë në pastrimin e gjurmëve të gjakut dhe fshehjen e trupit.
Ajo që ka tronditur më tej është sjellja e Samsonit pas krimit. Sipas gjyqtares hetuese Antonella Minunni, ai kishte demonstruar vetëkontroll të fortë dhe kthjelltësi, duke u kthyer në “normalitet” menjëherë pas vrasjes. Ai madje kishte takuar shoqen e Ilarias dhe kishte dërguar mesazhe babait dhe shoqeve të viktimës duke u shtirur si ajo, duke i bërë të besonin se ishte ende gjallë. Prokuroria e akuzon Samsonin për vrasje me dashje të rënduar nga marrëdhënia emocionale dhe fshehje kufome.