Moskë – Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjermanisë për të financuar prodhimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, duke deklaruar se ky hap e përfshin Berlinin drejtpërdrejt në konflikt.
“Nëse e kuptova saktë atë që lexova, kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi në një konferencë për shtyp se që nga fillimi kishte në mendje pikërisht financimin e prodhimit të raketave të çdo rreze veprimi në Ukrainë,” u shpreh Lavrov. Ai shtoi se duket që nuk bëhet fjalë për dërgesa raketash gjermane, por për prodhimin e tyre brenda Ukrainës, çka sipas tij duhet verifikuar.
Lavrov nuk ngurroi të akuzojë Gjermaninë për përshkallëzim të tensioneve: “Të dy po përshkallëzojnë tensionet, duke mbështetur luftën. Gjermania është e përfshirë drejtpërdrejt në këtë luftë, Gjermania po shkon drejt kolapsit, siç ka ndodhur në të kaluarën.” Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e cilësoi vendimin si “të papërgjegjshëm.”
Reagimi i Rusisë vjen pas njoftimit të Kancelarit Merz për një marrëveshje dypalëshe mes Gjermanisë dhe Ukrainës për bashkëpunim në prodhimin e sistemeve të armëve me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë. Rusia thekson se ky vendim i Berlinit është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm, duke parashikuar si rezultat të vetëm nxitjen e mëtejshme të luftës.