Berlin – Gjermania dhe Ukraina do të bashkëpunojnë për të prodhuar armë të reja me rreze të gjatë, të afta për të goditur objektiva në territorin rus. Këtë e bëri të ditur Kancelari gjerman, Friedrich Merz, gjatë vizitës së Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Gjermani.
Merz theksoi se ministrat e Mbrojtjes të dy vendeve do të nënshkruajnë sot një memorandum mirëkuptimi për prokurimin e këtyre sistemeve të armëve. Ai shtoi se nuk do të ketë kufizime në distancë, duke i mundësuar Ukrainës të mbrohet plotësisht, madje edhe kundër objektivave ushtarake jashtë territorit të saj.
Prodhimi i këtyre armëve mund të realizohet si në Ukrainë ashtu edhe në Gjermani. Megjithatë, Merz nuk dha detaje të mëtejshme, duke theksuar se informacioni do të bëhet publik në një njoftim të dytë. Kancelari gjerman e përshëndeti këtë projekt si fillimin e një forme të re të bashkëpunimit ushtarako-industrial mes dy vendeve.